Sesion mbi aspektet gjinore në raportimin për sëmundjet kronike jongjitëse
Me 16 maj 2026, u mbajt sesioni njëditor me Prof. Suzanne Suggs në kuadër të projektit “Përtej titujve: Gazetaria, sëmundjet kronike jongjitëse dhe tregimet që kanë rëndësi”, partneritet ndërmjet Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe projektit Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS Project). Prof. Suggs është eksperte e komunikimit shëndetësor dhe marketingut social, me fokus në ndryshimin e sjelljeve, komunikimin publik dhe raportimin mbi çështjet e shëndetit.
Trajnimi u fokusua në aspektin gjinor në raportimin për sëmundjet kronike jongjitëse, duke trajtuar rëndësinë e përfshirjes së perspektivës gjinore në storiet shëndetësore, mënyrën se si gratë dhe burrat preken ndryshe nga sëmundjet kronike, si dhe paragjykimet që shpesh përcillen në raportim përmes gjuhës, burimeve apo qasjeve editoriale. Në diskutime u theksua rëndësia e raportimit të ndjeshëm dhe të balancuar, që merr parasysh barrierat sociale, ekonomike dhe institucionale që ndikojnë në qasjen në kujdes shëndetësor dhe trajtim.
Në trajnim morën pjesë tetë gazetare bursiste të këtij aktiviteti, të cilat aktualisht janë duke raportuar tema të ndryshme që lidhen me sëmundjet kronike jongjitëse, në bashkëpunim me ekspertë të ndryshëm të shëndetësisë në Kosovë. Përmes diskutimeve praktike dhe ushtrimeve editoriale, pjesëmarrëset trajtuan mënyrat se si perspektiva gjinore mund të integrohet në raportim për të sjellë storie më të sakta, më gjithëpërfshirëse dhe më afër përvojave reale të pacientëve.