Palët e interesit vlerësojnë shtigjet e pacientëve me sëmundje kronike jongjitëse në Kosovë
08 May 2026

Palët e interesit vlerësojnë shtigjet e pacientëve me sëmundje kronike jongjitëse në Kosovë

Më 6–7 maj, palët e interesit në sektorin shëndetësor në Kosovë u mblodhën për t’i vlerësuar shtigjet e pacientëve me sëmundje kronike jongjitëse (SKJN) në të gjitha nivelet e kujdesit. Qëllimi i sesioneve ishte identifikimi i mundësive për fuqizimin e mëtejmë të efikasitetit, koordinimit dhe cilësisë së menaxhimit të sëmundjeve kronike në Kosovë.

Vlerësimi dyditor, i organizuar nga projekti Shërbime Shëndetësore të Integruara (IHS), mblodhi përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, Qendra Klinike Universitare e Kosovës, institucionet e kujdesit parësor shëndetësor, spitalet, odat profesionale, institucionet e financimit shëndetësor, përfaqësues të sektorit privat dhe organizata të shoqërisë civile.

Diskutimet u përqendruan në prioritetet e politikave, sistemet e të dhënave shëndetësore, mekanizmat e financimit, koordinimin ndërmjet ofruesve të shërbimeve dhe perspektivën e pacientëve në lidhje me SKJN-të kryesore. Pjesëmarrësit shqyrtuan pikat e forta aktuale të sistemit shëndetësor në Kosovë, sfidat ekzistuese dhe mundësitë praktike për përmirësimin e vazhdimësisë së kujdesit, qasjes në shërbime, përdorimit të të dhënave dhe qasjeve me pacientin në qendër.

Vëmendje e veçantë iu kushtua forcimit të bashkëpunimit ndërmjet niveleve parësore, dytësore dhe tretësore të kujdesit, përmirësimit të shtigjeve të referimit, avancimit të përdorimit të ndërhyrjeve të bazuara në dëshmi dhe mbështetjes së modeleve më të integruara për ofrimin e kujdesit për pacientët me sëmundje kronike.

Diskutimet e vlerësimit u udhëhoqën dhe u pasuruan nga eksperti ndërkombëtar i sistemeve shëndetësore, dr. Farhad Riahi. Gjetjet dhe rekomandimet nga ky vlerësim do të kontribuojnë në përpjekjet e vazhdueshme të institucioneve të Kosovës dhe të Projektit IHS për të mbështetur parandalimin, menaxhimin dhe kujdesin më efektiv e më të qëndrueshëm për SKJN-të.